Ismet Bellova

Written by Administrator
Tuesday, 15 February 2011 14:00

Ismet Bellova
Fituesi i Çmimit
te Karrieres


Ismet Bellova, me 76 vitet e tij, jo vetëm vazhdon të
komentojë, por edhe të drejtojë. Madje si presidenti
i Komitetit Olimpik Special Shqiptar, ka kohë që u
është afruar “pamundësive”. Të gjithë komunitetin e
sportistëve shqiptarë me aftësi të kufizuar po e dërgon
drejt medaljeve olimpike.
Në dhjetëra vite aktivitet, Ismet Bellova jo vetëm s’ka
zhgënjyer për të gjitha këto atribute, por në një farë
mënyre me zërin e tij është kthyer në siglën e gjallë të
radiofonisë shqiptare. Për këtë të fundit, Akademia e
Vlerësimit Vjetor Radio-Televiziv s’ka qenë aspak indiferente.
Ka qenë në nderin e saj që një nga çmimet
e vitit 2010 kushtuar medias vizive dhe radiofonike
t’ia kushtonte atij. Ismetin, teksa i është drejtuar me
hapin sportiv podiumit, ku do t’i dhurohej çmimi
i Akademisë nga kolegu i tij i nderuar Dizdari, e ka
tradhtuar për herë të parë emocioni. Epilogu, të gjithë
janë ndierë mirë me këtë emocion të pastër njerëzor...


Një jetë e tërë para mikrofonit sportiv. Si e nisi karrierën
e tij të transmetimit në kabinën radiofonike
Ismet Bellova?


-Më 29 nëntor të këtij viti kam mbushur plot 60 vjet
karrierë para mikrofonit. Kontakti i parë ishte kur,
16 vjeç e gjysmë, m’u dha mundësia të transmetoja
një ndeshje finale të Kupës së Shqipërisë midis dy
ekipeve të njohura tradicionale të asaj kohe: Partizani
- Dinamon. Kjo e fundit kishte vetëm 5-6 muaj që
sapo ishte krijuar dhe ishte një skuadër e re, shumë
simpatike, ndërkohë që Partizani e kishte evidentuar
emrin e vet. Ndeshja përfundoi 2-1 për Dinamon,
që meritoi Kupën e Republikës. Për herë të parë atje
jam futur 8-10 minuta në mikrofon. Imagjinoni se
çfarë kënaqësie! Isha me vetë Mazrekun, atë njeri të
papërsëritshëm.


Me çfarë interesash e keni mbushur jetën?

-E kam mbushur me gjithçka jetën, sepse vërtet kam
qenë super aktiv. Kam qenë mësues, propagandist.
Nuk ia kam përtuar që të transmetoj edhe kur në sallë
kanë qenë vetëm 200-300 veta. E kam pasur për nder
të shërbej. Jam ulur për të folur për gara gjimnastike,
gara atletike dhe pa asnjë lloj interesi. Kam qenë dikur
kryetrajner i Partizanit në atletikë, në kohën që ishte
ekipi më i mirë i vendit, pasi ishte larguar Dilaver
Toptani, një miku im i mirë. E kam bërë vullnetarisht.
Të mendosh, atë kohë kisha plot 32 orë mësim
në shkollën “Skënderbej”. Kjo vazhdoi për 12 vjet
dhe po kaq kam dhënë mësimin sportiv në një tjetër
shkollë me shumë eksperiencë, që ishte Politeknikumi
ose “Harry Fultz” i sotëm. Kanë qenë dy vatra sportive
të mëdha, ashtu si kanë qenë për traditën sportive
edhe gjimnazi “Raqi Qirinxhi”, “Ali Demi” në Vlorë,
“Qemal Stafa” dhe “Petro Nini” në Tiranë.


Ku i keni qasjet më të mëdha në sport?

-Unë vetë jam marrë me të gjitha sportet dhe njerëzit
çuditen kur mësojnë se Ismeti ka luajtur me Vangjel
Kojën volejboll apo sporte të tjera. Ismeti ka luajtur
futboll, basketboll, ka drejtuar ekipin e Partizanit të
atletikës...


Cilat ishin interesat kulturore të kohës, përveç këtij
pasioni?


-Kam lexuar mjaft. Vështirë të mos lexoja gjithçka që
mundesha në atë kohë. Dhe vërtet lexoja që nga ato që
tashmë duken shumë propagandë, “Si u kalit Çeliku”,
“Doni i Qetë” etj.


Profesor Ismeti, ashtu si ju thërrasin me respekt
sot, a mund të na tregoni me pak fjalë familjen
?

-Kam lindur në Tiranë në një familje me origjinë
dibrane në vitin 1934. Babai ishte një nga të ardhurit
dibranë të vitit 1928. Të gjithë ne, fëmijët e tij,
do të lindnim në Tiranë. Familja jonë përbëhej nga
prindërit dhe ne fëmijët, plot 5 vëllezër dhe dy motra.


Çfarë është mikrofoni për ju?

-Mikrofoni është, si të them, dashuria ime, më e madhja
e jetës sime. Me të më lidhin shumë histori dhe
dua t’ju them se nuk kam pasur asnjëherë vështirësi.
Puna ime ka rrjedhur vetvetiu nga përkrahja në Shqipëri.
Duhet të mos harrojmë se ishte një nga mjetet e
pakta të zbavitjes dhe informimit. Të gjithë njerëzit e
kishin si kënaqësi të ndiqnin sportin. Dhe të mos harrojmë
se “Rubrika sportive” e orës 21.00, ku jepeshin
lajmet sportive, ishte nga më të ndjekurat. Një rubrikë
e veçantë ishte një koment sportiv, që ishte krijuar
nga Mazreku, themeluesi i gazetarisë së shkruar dhe
të folur sportive shqiptare. Pas tij kuptohet që e kam
vazhduar edhe unë. Ishte një koment aq i dashur në
ato pak minuta që transmetohej saqë arrinte të ndërpritej
gjithçka për ta dëgjuar.


Ju vjen keq që edhe sporti është kthyer në komerc?

-Më vjen shumë keq. Nuk kam asgjë për mënyrën
se si shpenzohen sot paratë, por inkurajimi i sportit
duhet të jetë i nevojshëm dhe e them me bindje se
vërtet do të vijë një ditë që do t’i thërrasim mendjes.
Morët një çmim për karrierën nga Akademia. Ishit
shumë i emocionuar dhe premtuat se do të vazhdoni
njësoj. Besoni se kjo është e mundur?
-Të gjitha gjërat janë të mundura nëse ka vullnet dhe
shpresë dhe mbi të gjitha përkushtim. E ndiej shumë
vlerësimin që më është bërë dhe në veçanti ceremonialin
tepër serioz. Të tilla çmime janë vlerësime për
kulturën shqiptare dhe shpresoj që njerëzit të kuptojnë
mesazhin e tyre tepër fisnik.